BB: 73.4 për qind e shpenzimeve shëndetësore të shqiptarëve nga xhepi shkojnë për ilaçe
Banka Botërore vlerëson se familjet shqiptare vijojnë të mbajnë barrën kryesore të kostos së barnave, pavarësisht rrjetit të gjerë farmaceutik.
Shqipëria ka rreth tre farmaci private për çdo 10 mijë banorë, më shumë se mesatarja prej 2.1 farmacish në Shtetet e Bashkuara, ndërsa numri i personelit farmaceutik për frymë është dukshëm mbi mesataren evropiane. Megjithatë, sipas raportit të Bankës Botërore për sektorin shëndetësor shqiptar, kjo shtrirje e gjerë e rrjetit nuk është shoqëruar me uljen e barrës financiare për pacientët. Pjesa më e madhe e barnave vazhdon të financohet nga familjet, ndërsa alternativat më të lira zënë një pjesë shumë të vogël të barnave të rimbursuara.
Raporti thekson se në vitin 2023 Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor kishte kontrata me 822 farmaci private, 42 agjenci farmaceutike, 15 distributorë dhe 43 importues barnash. Në vitin 2018, Shqipëria kishte 10.9 punonjës farmaceutikë për çdo 10 mijë banorë, krahasuar me mesataren evropiane prej 6.7 punonjësish. Sipas Bankës Botërore, përmasat e sektorit mund të krijojnë nxitje për shpërndarje më të lartë të barnave dhe orientim drejt fitimit, ndaj kërkohet monitorim më i kujdesshëm i aktivitetit farmaceutik.
Financimi publik mbulon më pak se gjysmën e tregut të barnave
Në vitin 2023, financimi publik mbuloi vetëm rreth 44 për qind të vlerës së barnave të importuara në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër u financua kryesisht nga familjet. Shpenzimet e Fondit për barnat e rimbursueshme u rritën nga 12 miliardë lekë në vitin 2023 në rreth 13 miliardë lekë në vitin 2025. Nga kjo shumë, rreth 8 miliardë lekë u përdorën për barnat ambulatore të shpërndara përmes farmacive të komunitetit.
Pavarësisht kësaj rritjeje, shpenzimi publik për barnat ambulatore ishte vetëm rreth 36 euro për banor në vitin 2025, shumë më i ulët se 97 euro në Bullgari, 63 euro në Serbi dhe 55 euro në Bosnjë-Hercegovinë. Kur përfshihen edhe barnat e përdorura në spitale, shpenzimi publik farmaceutik në Shqipëri arrin në rreth 57 euro për frymë.
Tregu farmaceutik shqiptar vlerësohet në rreth 339.1 milionë euro, ose 143 euro për banor. Shteti financon rreth 40 për qind të këtij tregu, ndërsa shpenzimet publike për barna përfaqësojnë vetëm 0.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për krahasim, financimi publik mbulon 68 për qind të tregut në Serbi, 57 për qind në Bosnjë-Hercegovinë, 71 për qind në Maqedoninë e Veriut dhe 69 për qind në Malin e Zi. Shpenzimi publik për banor arrin në 168 euro në Serbi, 87 euro në Bosnjë-Hercegovinë, 95 euro në Maqedoninë e Veriut dhe 256 euro në Malin e Zi.
Pjesa më e madhe e pagesave nga xhepi shkon për barna
Të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjeve për vitin 2023 tregojnë se 73.4 për qind e shpenzimeve shëndetësore që qytetarët paguajnë drejtpërdrejt nga xhepi përdoren për blerjen e barnave në farmacitë private. Mesatarisht, familjet shqiptare shpenzojnë 26.3 lekë për person në ditë për ilaçe. Të siguruarit shpenzojnë mesatarisht 27.4 lekë për person në ditë, ndërsa të pasiguruarit 23 lekë. Në familjet me të ardhura më të larta, ky shpenzim arrin në 53.8 lekë për person në ditë.
Sipas Bankës Botërore, këto diferenca nuk lidhen vetëm me nevojat shëndetësore, por edhe me strukturën e listës së barnave të rimbursueshme, bashkëpagesat, praktikat e përshkrimit nga mjekët, zgjedhjen e markave dhe përdorimin e kufizuar të alternativave të rimbursueshme.
Alternativat më të lira përdoren shumë pak
Lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar në 1,345 produkte, me norma rimbursimi nga 50 për qind deri në 100 për qind. Megjithatë, alternativat me çmim reference vijojnë të përdoren në nivele shumë të ulëta. Në vitin 2025 ato përbënin zakonisht më pak se 10 për qind të sasive të barnave të rimbursuara dhe në disa raste më pak se 1 për qind, megjithëse nuk kërkojnë bashkëpagesë për diferencën e markës.
Kjo tregon se pacientët orientohen shpesh drejt barnave më të shtrenjta, duke mbuluar vetë një pjesë të konsiderueshme të kostos. Për disa barna kundër diabetit, bashkëpagesa mund të kalojë 80 për qind të çmimit.
Raporti evidenton gjithashtu se shpenzimet farmaceutike janë të përqendruara në një numër të vogël produktesh. Njëzet barnat më të kushtueshme të përdorura në spitale përbëjnë rreth një të katërtën e faturës spitalore, ndërsa 20 barnat kryesore ambulatore zënë mbi një të tretën e kostos së produkteve të shpërndara në farmacitë e komunitetit.
Banka Botërore rekomandon forcimin e sistemit të çmimeve të referencës, përdorimin më të madh të barnave gjenerike dhe biosimilare, si edhe kufizimin e rimbursimit për markat me çmime dukshëm më të larta.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)